Shqipëria nis përgatitjet ligjore për adoptimin e Euros si monedhë zyrtare
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë krijon bazën ligjore për funksionimin e bankës qendrore pas anëtarësimit në Eurozonë.
Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të posaçëm që përcakton mënyrën e funksionimit të bankës qendrore shqiptare pas hyrjes së vendit në Eurozonë. Nisma është pjesë e reformës për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe krijon bazën institucionale për integrimin e Bankës së Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.
Si do të funksionojë Banka e Shqipërisë me euron
Projektligji parashikon se, nga dita kur euro të bëhet zyrtarisht monedha e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane. Institucioni do të përcaktojë gjithashtu dizajnin e monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, sipas standardeve evropiane.
Megjithatë, projektligji sqaron se këto dispozita nuk nënkuptojnë adoptimin e afërt të euros. Ato do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe të përmbushë kriteret e konvergjencës ekonomike të nevojshme për anëtarësimin në Eurozonë.
Forcohet pavarësia e Bankës së Shqipërisë
Përveç dispozitave që lidhen me euron, projektligji sjell një reformë të gjerë të kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është forcimi i pavarësisë institucionale, funksionale, financiare dhe personale të bankës qendrore, duke ndaluar shprehimisht që ajo të kërkojë ose të marrë udhëzime nga qeveria apo institucione të tjera shtetërore.
Projektligji sanksionon ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si objektivin parësor të Bankës së Shqipërisë, ndërsa i jep një mandat më të qartë edhe për garantimin e stabilitetit financiar. Për herë të parë, ligji përfshin një kapitull të posaçëm për politikën makroprudenciale, duke zgjeruar kompetencat e bankës për identifikimin dhe kufizimin e rrezikut sistemik në sektorin financiar.
Kompetenca më të gjera dhe ndryshime në qeverisje
Reforma zgjeron kompetencat e Bankës së Shqipërisë në mbikëqyrjen e institucioneve financiare, duke i dhënë të drejtën të kryejë inspektime më të plota, të kërkojë informacion shtesë dhe të vendosë masa administrative ndaj subjekteve të mbikëqyrura. Gjithashtu, forcohet kuadri ligjor për sistemet e pagesave, administrimin e rezervave valutore dhe mbledhjen e statistikave monetare e financiare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Projektligji parashikon edhe ndryshime në qeverisjen e Bankës së Shqipërisë, duke forcuar kriteret profesionale dhe të integritetit për drejtuesit e institucionit. Po ashtu, krijohen Komiteti i Politikës Monetare dhe Komiteti i Stabilitetit Financiar, të cilët do të funksionojnë si organe këshillimore pranë Këshillit Mbikëqyrës.
Rritet kapitali dhe forcohet baza financiare
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me forcimin e pavarësisë financiare të Bankës së Shqipërisë. Projektligji parashikon rritjen e kapitalit të nënshkruar nga 2.5 miliardë në 6 miliardë lekë, si dhe krijimin e një mekanizmi të ri rikapitalizimi në rast se kapitali bie nën nivelin minimal të kërkuar.
Gjithashtu, ruhet kërkesa që rezerva e përgjithshme të jetë të paktën pesë herë më e madhe se kapitali i nënshkruar dhe krijohen rezerva të posaçme për mbulimin e rreziqeve financiare, duke synuar forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së bankës qendrore.
Burimi: Scantv
Më të lexuarat






k.jpg)